Monitoruesit e rinj

Posted by: | Posted on: February 21, 2024

Në zbatim të projektit “Nxitja e lidhjes të komunitetit lokal për mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm” mbështetur nga Programi Prespa Ohrid Nature Trust (PONT) AlbNatyra po organizon disa aktivitete që kanë të bëjnë me rritjen e monitorimit të zonës së mbrojtur “Parku Kombëtar Shebenik”. Grupi monitorimit nga komuniteti lokal u formua dhe u forcua si rezultat projekteve të mëparshme që AlbNatyra kishte me PONT dhe CEPF, por që këto vite ky grup ka dhënë rezultate të qenësishme në menaxhimin e qëndrueshëm të parkut, sidomos në mbrojtjen e ekosistemit pyjor nga zjarret dhe prerjet e paligjdhme. Vitet e fundit zjarret pothuajse nuk patën asnjë rrezik për pyjet parkut, falë vullnetarëve të këtij grupi të cilët bashkëpunuan ngushtësisht me stafin e Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan.

Ndërkohë që AlbNatyra ka filluar të ngrejë edhe grupin “Monitoruesit e rinj” si një grup që do të shërbejë për të ardhmen. Edukimi i të rinjve për natyrën, për konservimin e natyrës, promovimin e mbrojtjes të zonave të mbrojtura, sidomos për speciet e rrezikuara do të na ndihmojë që të kemi një vazhdimësi të traditës që po përcojmë.

Në takime janë përfshirë kryesisht nxënës të shkollave të cilët janë në vitet e fundit të shkollës së mesme si psh në fshatin Zgosht, Dorëz dhe Hotolisht,të cilët janë shkolla që ndodhen brenda ose afër Parkut Kombëtar Shebenik.

Njohja e zonave të mbrojtura natyrore, mbrojtja dhe promovimi janë tema që po trajtohen, por kryesisht të rinjtë i angazhojmë në procesin e monitorimit, një process i cili është mjaft i rëndësishëm për identifikimin e problematikave, rreziqeve dhe kanosjet ndaj natyrës nga aktivitetet e paligjshme.

Monitorimi nëpërmjet kamerave kurth, dylbive, gjurmëve dhe provave të tjera janë aktivitete që po zhvillohen në natyrë. Monitorimi i jetës së egër është një nga tregusit kryesorë mbi cilësinë e ruajtjes të zonës së  mbrojtur. Nga këto aktivitete vërejmë që të rinjtë janë aktivë dhe shprehin interes për pjesëmarrje vullnetare në procesin e monitorimit.

Vendosja e kamerave kurth u realizuan në preznencë dhe me pjesëmarrjen e të rinjve si edhe në bashkëpunim me punonjësit e Parkut Kombëtar Shebenik në disa shtigje ku mendohet se mund të përdoret nga kafshët e egra. Gjithashtu të rinjtë mësuan se si të merren rezultatet e kamerave kurth nëpërmjet kartave të memories.

Një tjetër praktikë e vyer ishte edhe njohja e kafshëve të egrave nëpërmjet gjurmëve,feceve, pendëve dhe zhurmave apo tingujve që ata ushtrojnë.

Stafi AlbNatyra është shumë i hapur dhe i angazhuar për të marrë opinone, propozime dhe komente mbi punën që është duke bërë në drejtim të promovimit të mbrojtjes së natyrës.


Kujdesi ndaj ekosistemit natyror Shebenik nëpërmjet përdorimit racional dhe tradicional

Posted by: | Posted on: February 1, 2024

AlbNatyra ka mbyllur projektin e tretë të mbështetur nga CEPF – Critical Ecosystem Partnership Fund, njëkohësisht dhe projekti i dytë në mbështetjen e biodiversitetit në kullotat alpine të parkut Kombëtar Shebenik.

Projekti ka arritur sukses të dukshëm në  ruajtjen e biodiversitetit, zhvillimit socio-ekonomik, forcimit institucional dhe edukimit të komunitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Në bashkëpunim të ngushtë me AdZM Elbasan, projekti u përqendrua në mënyrë strategjike në përmirësimin e menaxhimit të kullotave alpine, veçanërisht në rajonin e Rrajcës të pa adresuar më parë, që ndodhet në pjesën juglindore të parkut. Këtu, vlen të përmendet prania pylli të vjetër të ahut 300-vjeçar, zonë e mbrojtur nga UNESCO, duke nxjerrë kështu në pah rëndësinë ekologjike të këtij zgjerimi të projektit.

Kjo nismë, duke shërbyer si vazhdimësi e projektit të mëparshëm, ruan një fokus thelbësor në nxitjen e praktikave të qëndrueshme dhe ruajtjen e biodiversitetit. Partneriteti me AdZM ka qenë vendimtar, i dukshëm në një marrëveshje të nënshkruar që përshkruan përgjegjësitë e ndërsjella, mbështetjen logjistike dhe angazhimin për ruajtjen e vlerave të biodiversitetit të parkut. Për sa i përket ndikimit të ruajtjes, projekti ka punuar drejt qëllimit të tij për të zgjeruar zonën nën kullotje të qëndrueshme të bagëtive nga 18% në 50% brenda pesë viteve. Në total parku ka 6760 ha kullota alpine, 610 ha është rreth 9 % që është përmirësuar falë mbështetjes së ofruar për barinjtë vendas. Kjo nismë përputhet me objektivin kryesor të dyfishimit të numrit të bagëtive në tre vitet e para.

Përfitimet socio-ekonomike janë të dukshme nëpërmjet angazhimit dhe mbështetjes së barinjve—Isa Allkja, Agush Hasa dhe Erion Biçaku—në mjetet alternative të jetesës, veçanërisht eko-turizmin. Një sesion trajnimi gjithëpërfshirës i udhëhequr nga eksperti Elton Caushi i pajisi këta barinj me informacionin për të shndërruar stanet tradicionale në bujtina miqësore me mjedisin. Duke parë përpara, projekti ka hedhur bazat për iniciativat e qëndrueshme të eko-turizmit. Trajnimi i barinjve dhe një vizitë e suksesshme në një sipërmarrje të ngjashme në Tragjas kanë dhënë njohuri praktike, duke nxitur entuziazmin për turizmin si një aktivitet ekonomik. Këta barinj fituan edhe kushte më të mira jetese duke i pajisur stanet e tyre me panele fotovoltaike dhe bateri, si dhe pajisje tualeti (wc dhe dushe).

Projekti rriti me sukses ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me ruajtjen e bimëve endemike dhe biodiversitetit. Eksperti i kullotave alpine Hasan Deliu luajti një rol të rëndësishëm në seancat trajnuese, duke theksuar praktikat e përgjegjshme të grumbullimit të bimëve dhe rolin jetik të biodiversitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Si përmbledhje, projekti ka bërë hapa të rëndësishëm në dimensione të ndryshme, duke krijuar një bazë të fortë për qëndrueshmërinë e ardhshme të Parkut Kombëtar të Shebenikut, duke vazhduar në themelet e ndërtuara në projektin e parë. Qasja holistike që ndërthur ruajtjen, angazhimin e komunitetit dhe rritjen organizative e pozicionon projektin si një katalizator për ndryshime pozitive. Projektu u shtri edhe në arsimimin e brezit të ri me prezantime shkollore lidhur për rëndësinë e mbarështimin të bagëtive të imta si dhe vizita në terren. Në këto veprimtari morën pjesë  18 nxënës nga dy shkolla të qytetit të Librazhdit. Nisma synon të krijojë një kuptim të marrëdhënies simbiotike midis mbarështimit të blegtorisë, mbrojtjes së biodiversitetit dhe jetesës së qëndrueshme.

Gjithashtu, zbatimi i këtyre projekteve ka sjellë tek AlbNatyra një rritje të ndjeshme të kapaciteteve të saj. U zhvillua një plan strategjik 5-vjeçar dhe u miratuan vendimet kryesore, duke përfshirë ristrukturimin e bordit dhe tranzicionin e drejtimit të shoqatës. Përpjekjet në financat dhe burimet njerëzore janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive, duke përmirësuar kuadrin e brendshëm të shoqatës.

Critical Ecosystem Partnership Fund – CEPF mbetet partneri ynë i mirë në mbrojtjen e biodiversitetit duke sjellë kështu projekte konkretë dhe gjithëpërfshirës në gamën e veprimtarisë për të arritut këtë objektiv dhe AlbNatyra shpreh mirënjohjen e saj për këtë mbështetje domethënëse.


Miqtë e jetës së egër të Shebenikut

Posted by: | Posted on: September 4, 2023

Në datat 28-30 gusht, grupi ynë i apasionuar “Miqtë e jetës së egër të Shebenikut” organizoi një shkollë verore të veçantë, ku eksploruam, mësuam dhe u frymëzuam për të mbrojtur mjedisin dhe biodiversitetin e këtij thesari natyror.U njohëm me habitatet, monitoruam florën dhe faunën e parkut, dhe krijuam herbariume që do të ndihmojnë në studimet mjedisore të ardhshme.

Dita e parë na solli një prezantim tërheqës nga specialistët e AdZM Elbasan, duke na treguar gjithçka mbi Parkun Kombëtar të Shebenikut si dhe sfidat që e kërcënojnë atë.

Udhëtuam me biçikleta në brendësi të parkut dhe forcuam shpirtin e skuadrës nëpërmjet lojërave dhe eksplorimeve të natyrës.

Të udhëhequr nga ekspertja Ermelinda Gjeta u zhytëm në një aventurë e veçantë në botën e bimëve duke identifikuar bimët e ndryshme të parkut zbuluam edhe vetitë e tyre specifike të cilat i shënuam në herbariumin e krijuar nga vetë të rinjtë.U përqëndruam në mënyrat se si komuniteti lokal mund të përfshihet në mbrojtjen e Parkut të Shebenikut. Diskutuam dhe ndamë ide për të përmirësuar ruajtjen e kësaj pasurie natyrore të çmuar.

Ky aktivitet realizohet në zbatim të projektit titull “Nxitja e banorëve për mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm’’ (Foster Connection ëith the local community to support the sustainable management). Projekt i cili financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust (PONT),

Aktivitete të tilla ne si organizate mjedisore do ti kemi në vëmendje për ti realizuar ne cdo kohë pasi ndikojnë drejtpërsëdrejti në emancipimin e brezit të ri.

Më poshtë po ndajmë me ju këtu disa nga çastet e kapura me foto të këtyre ditëve.


Ariu i murrmë / ursus arctos në Shebenik

Posted by: | Posted on: July 2, 2022

Ariu i murrmë / ursus arctos

Ariu murrmë (foto AdZM Elbasan)

Është një nga gjitarët e mëdhenj të egër që gjendet në Shqipëri, një kafshë mishëngrënëse e familjes Ursidae me një trup të lartë deri në 1 m dhe me gajtësi 1,7-2.0 m, i mbuluat me qime të ashpëra me ngjyrë të kaftë në të errët dhe me peshë 180-200 kg. Femrën në Shqipëri e quajmë arushë. Habitati i tij është në pyje të përziera por gjendet edhe rreth fshatrave në shkurret mesdhetare, por edhe në zonat malore.Gjendet në Europë, në Azi dhe një pjesë të Afrikës  por më shumë në gjendet në zonën e Europës Qendrore ndërsa në Evropën perendimore thuasje janë zhdukur. Në Shqipëri gjendet më së shumti veri lindje dhe jug-lindje si dhe në pjesën qëndrore të saj. Në parkun kombëtar Shebenik gjendet pothuasje kudo, e vertetuar nëpërmjet kamerave kurth të vendosura nga stafi i parkut, por edhe nga gjurmët, fecet dhe gërvishjet e drunjve apo gurëve. Nuk ka një numër të saktë se sa është numri i tyre në hapsirën e parkut. Mosha mesatare e jetës të nëj ariu të murrmë shkon në 35-50 vjet, kur është i ri ushqehet e rrënjë,fara,fruta si psh lende, gorrica,mana ferre, boronicë, lule shtrydhe, qershi etj. Ariu pëlqen mizat e dheut po ashtu edhe mjaltin. Kur shkonë moshë të rritur bëhet dhe mishngrënës, ka patur raste kur soulmon edhe bagëtitë.Dëgjimin dhe nuhatjen e ka shumë të zhvilluar si instikte por të shikuarit e ka shumë të dobët. Zakonisht për tu ushqyer del gjatë natës dhe gjatë dimrit bie në gjumë të përkohshëm. Ciftëzimi kryehet në periudhën qershor-korrik dhe arusha lind 1 -3 këlyshë të cilët i mban për rreth dy vjet. Airu i Murrëm konsiderohet si specie e kërcënuar dhe mbrohet me ligj. Për parkun kombëtar por edhe rreth tij nevojitet një studim i mirëfilltë i popullatës të ariut të murrëm, për të parë gjendjen e tij, numrin dhe sipërfaqen e arealit të tyre.


Ariu murrmë (foto AdZM Elbasan)

Parku Kombëtar “Shebenik”

Posted by: | Posted on: June 17, 2022

PARKU KOMBËTAR “SHEBENIK”  (i ndryshuar)

Me VKM nr. 59 datë 26.01.2022 botuar në fletoren zyrtare (nr.16) Parku Kombëtare Shebenik-Jabllanice ka pësuar ndryshime në emrin e tij, sipërfaqen dhe zonimin e tij. Sipas këtij vendimi parku do të quhet: Parku Kombëtar “Shebenik” ndërsa sipërfaqa e tij nga 33 927.66 hektarë bëhet 34 507.9 hektar, gjithashtu ka ndryshime të tehksuara në korigjimet që janë bërë hartës dhe kufirit të parkut si dhe zonimit të këtij parku. Bie në sy heqja që është bërë sipërfaqes në pellgun ujëmbledhës të lumit Bushtrica, si dhe nuk eshte marre parasysh kërkësa e herë pas hershme të disa banorëve të disa fshatrave për tu hequr nga harta e parkut, pra nuk është reflektuar. Ndërkohë ka një shetsë mbi 1000 hektarë në bashkinë Bulqizë e cila bën pjesë në qarkun Dibër. Sipas mendimit tonë ky ndryshim nuk reflekton atë që është kërkuar, madje ka ndryshime të pakuptimta të sipërfaqes por edhe të zonimit.

Me poshtë po pasqyrojmë VKM nr 59 datë 26.01.2022

Zona brenda këtij ekosistemit natyror përfshin pyje, bujqësore, shkurre, kullota, sipëraqe heterogjene bujqësore, sipërfaqe me vegjetacion të pakët dhe bimësi barishtore. Mbulesa e tokës brenda siperfaqes së Parkut Kombëtar, jepet në Tabelën 1. më poshtë

Tabela 1. Sipërfaqja e PK-së, e përshkruar sipas mbulesës.

Mbulesa Sip. në ha Përqindja
Pyje 16359 47.41
Sipërfaqe heterogjene bujqësore 1930.1 5.59
Sipërfaqe me vegjetacion të pakët 1972.8 5.72
Kullota 93.9 0.27
Urbane 49.1 0.14
Shkurre & Bimësi barishtore 14103 40.87
Total 34,507.9 100.00

 Ekosistemi natyror “Shebenik”, shpallur me status “Park Kombëtar” ndahet në katër nënzona ruajtjeje e administrimi, si më poshtë vijon:

a) Nënzona Qëndrore A, me sipërfaqe 2129.62 (dy mijë e njëqind e njëzet e nëntë presje gjashtëdhjetë e dy) ha, e shënuar në hartë me ZQ A.

Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore, shkurresh dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla e më lartë e mbrojtjes,  që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike te kontrolluara në natyrë. Në ZQ A janë të ndaluara: prerja e drurëve dhe e shkurreve; përdorimi i kimikateve dhe i plehrave kimike; ndërtime të çdo lloji; nxjerrja e mineraleve dhe e torfave; ndezja e zjarreve; kullotja, kalimi i kafshëve shtëpiake dhe ndërtimi i objekteve për mbajtejn e tyre; etj.

b) Nënzona Qëndrore B, me sipërfaqe 14562.37 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy presje tridhjetë e shtatë) ha, e shënuar në hartë me ZQ B.

Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore, shkurresh dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla e më lartë e mbrojtjes,  që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë. Në ZQ B janë të ndaluara: shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhë mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme në sipërfaqen e tokës; neutralizimi i mbetjeve me origjinë jashtë territorit të “Parkut Kombëtar”; shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase, kur ato sjellin ndryshime në biodiversitetin e sonës; riprodhimi intensiv, me përjashtim të riprodhimeve shpëtuese; ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë; larja dhe spërkatja e rrugëve me kimikate; mbjellja e pyjeve monokulturë; etj.

c) Nënzona e Përdorimit Tradicional dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, me sipërfaqe 17673.82 (shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre presje tetëdhjetë e dy) ha, e shënuar në hartë me ZPTQ.

Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore, bujqësore e kullotat, ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale si punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike, me përdorim të balancuar të tyre dhe nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit natyror. Në nënzonën e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm, zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive ekonomike, sociale, agrobiznesit, argëtuese, sportive e ekoturistike, ndërtimi i infrastrukturës sipas planeve të zhvillimit urban e turistik të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik të ekosistemit natyror dhe respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor.

d) Nënzona e Rekreacionit me sipërfaqe 142.09 (njëqind e dyzet e dy presje zero nëntë) ha, e shënuar në hartë me ZR.

Në këtë zonë përfshihen pjesë të habitateve pyjore, kullotave dhe bimësi pyjore. Në këtë zonë zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive turistik, si mundësi shetitje në natyrë, shërbime turistike në mënyrë të tillë që respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat e tij ekologjike dhe ato të peizazhit natyror, në mbështetje të studimeve urbanistike të miratuar nga KKT-ja.

Zonimi dhe sipërfaqet në Parkun Kombëtar “Shebenik” jepen në Tabelën 2.

Tabela 2. Zonimi i brendshëm i PK-së.

Zonimi Sipërfaqe ha Perqindja
Zona qëndrore A 2129.62 6.17
Zona qëndrore B 14562.37 42.20
Zona e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm 17673.82 51.22
Zona e rekreacionit 142.09 0.41
Totali 34507.9 100.00

Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Qarku Elbasan dhe Dibër, kryejnë funksionet menaxhuese të Parkut Kombëtar “Shebenik”.


A mund ti njohim kërpudhat ?

Posted by: | Posted on: December 6, 2021

A mund ti njohim kërpudhat ?

Në ditët sotme shumë pak njerëz i njohin kërpurdhat që rriten në natyrë. Shpesh herë kur shikojmë në pyjet tona kërpurdha ndjehemi të pa sigurtë nëse ato konsumohen apo jo. Në disa raste pyesim më të vjetërit ose ndonjë specialist që janë të paktë që i njohin nëse janë helmuese apo jo. Kërpurdhat në këto kohë prodhohen me shumicë në plantacionet e sipërmarësve që mbushin tregun por që nuk janë ato që kanë shijen si ato në natyrë. Kërpurdhat shtohen sidomos në dy stinët e vitit; në pranverë dhe në vjeshtë kryesisht pas shiut kur edhe moti është me temperature jo shumë të ulëta. Kërkpurdhat janë të ndara në saprofite dhe parasite dhe shtohen me spore, hife dhe në mënyrë vegjetative, ato preferojnë toka të pasura me homus dhe ne pyjet e dushkut dhe të ahut, por që lloje të ndryshme gjenden kudo, në cdo kohë dhe në cdo vend ku ka edhe lagështi.

Disa nga llojet e kërpurdhash nuk mund të konsumohen për shkak se janë helmuese dhe sjellin komplikacionet në organizmin e njeriut, ndërsa tek disa kafshë janë të preferuara psh. Nga derri i egër.Kërpurdhat që njihen në komunitet për konsum janë psh. dervishja,barkkuqja,djegësja etj.

Gjithësesi mendojmë që duhet të ketë një informacion më të hollësieshëm edhe edukues per nxënësit e shkollave dhe komunitetin për njohjen dhe përdorimin e kërpuradheve. Kërpurdhat janë një ushqim i preferuar dhe përdoren gjerësisht nga konsumatorët, por që kërourdhat natyrale duhet kujdes në përdorim e tyre.


Nënshkrimi i marrëveshjes me PONT

Posted by: | Posted on: November 6, 2021

Në zbatimin e vendimit të Bordit Mbikëqyrës të PONT për të shtrirë programin e tij të ruajtjes në zonën më të gjerë të Ohrit, dhe duke plotësuar mbështetjen e ofruar për autoritetet e zonës së mbrojtur, PONT së fundi ka dhënë grante për pesë organizata joqeveritare, në bashkëpunim me Fondin e Partneritetit të Ekosistemit Kritik (CEPF).

Granti për Shoqatën AlbNatyra fokusohet në reduktimin e kërcënimeve ndaj vlerave natyrore të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në Shqipëri duke krijuar një Rrjet Monitorimi dhe Raportimi të vullnetarëve nga radhët e anëtarëve të komunitetit lokal.

AlbNatyra do të asistojë rrjetin në krijimin e një bashkëpunimi efektiv me autoritetet e parkut dhe departamentet e policisë dhe zjarrfikësve të qeverisjes vendore të Librazhdit dhe Prrenjasit. Granti synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin e anëtarëve të komunitetit lokal dhe aktorëve të tjerë për vlerat e parkut dhe nevojën për mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të tyre.

Sot AlbNatyra nënshkroi një marrëveshje me PONT përfaqësuar nga Znj. Mirjam de Koning, drejtuese ekzekutive në PONT dhe Z.Oliver Avramoski, oficer për grantet në PONT, për zbatimin e një mini-projekti me temë “Fuqizimi i rolit të komunitetit si një partner i rëndësishëm në mbrojtjen e biodiversitetit”. Ky projekt financohet nga CEPF dhe PONT.

► Projekti konsiston në ngritjen dhe trajnimin e grupeve lokale për të monitoruar, raportuar dhe ndërhyrë në rastet e nevojshme për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

► Ky grup do ti vijë në ndihmë administratës së Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë për të kryer më mirë rolin e tyre në terren dhe në bashkëpunim me komunitetin lokal.

#PONT

#AdZMElbasan

#CEPF


Monitorimi i qeverisjes së burimeve natyrore në Bashkinë Elbasan

Posted by: | Posted on: September 7, 2021

Në kuadër të projektit WeBER 2.0, Shoqata AlbNatyra filloi prezantimin e miniprojektit me titull “Monitorimi i zbatimit të ligjit për menaxhimin e resurseve natyrore” në takim me përfaqësuesit dhe drejtuesit e Bashkisë Elbasan. Ky miniprojekt mbështetet nga IDM Albania nëpërmjet financimit të Bashkimit Europian.

Qëllimi i projektit është Monitorimi i zbatimit të ligjit nga Bashkia Elbasan në lidhje me menaxhimin e burimeve natyrore nëpërmjet transparencës dhe përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje.

Në takimin e realizuar në bashkinë Elbasan mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Elbasan z.Gledian Latja, i cili në fjalën e tij theksoi se është i gatshëm të bashkëpunojë me shoqërinë civile për projekte që ndikojnë në mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit sidomos në krijimin e hapësirave të gjelbërta dhe mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme.

Ndërsa eksperti i mjedisit z. Ahmet Mehmeti mbështeti idetë inovative për një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore lokale dhe se aktualisht është e nevojshme që në çdo kohë të kryhet monitorimi i aspekteve mjedisore, jo vetëm i pyjeve dhe ujërave por edhe i cilësisë së ajrit për banorët e qytetit të Elbasanit.

Shoqata AlbNatyra nëpërmjet ekspertëve dhe specialistëve të saj në zbatim të projektit do të vazhdojë me aktivitetet monitoruese dhe hulumtuese për komunitetin dhe grupet e tjera të interesit në lidhje me zbatimin e ligjit si dhe të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i projektit është edhe monitorimi i shpërndarjes së informacionit nga Bashkia Elbasan, sidomos në media dhe në faqen zyrtare në internet.

Ato vendime që merren për përdorimin,shfrytëzimin dhe investimet në fushën e burimeve natyrore të jenë të publikuara edhe për komunitetin dhe grupet e tjera të interesit.

#WeBER2.0

#IDMAlbania

#EuropeanUnion

#BashkiaElbasan


Inventarizimi i bimëve të kullotave në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Posted by: | Posted on: July 23, 2021

AlbNatyra është duke mbështetur blektorët për sigurimin e ujit të pijshëm për bagëtitë në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ky aktivitet po zbatohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e bimëve të rrezikuara në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë” i cili financohet nga Critical Ecosystem Partnership Found #CEPF, nëpërmjet BirdLife International.

Rindërtimi dhe rehabilitimi i dy koritave për sigurimin e ujit të pijshëm për bagëtitë do të përmirësojë ndjeshëm kushtet për kullotat, të cilat ndikojnë direkt në mbrojtjen e kullotave nga ekspansioni i bimëve të tjera mbi kullota.

Shumë bimë të tjera si dëllinja, fieri, ahu dhe shkurre të tjera po pushtojnë kullotat për shkak të rënies së numrit të bagëtive në kullota, ku për pasojë kemi prishje të ekuilibrave floristike dhe kërcënim serioz të bimëve të rrezikuara.

Për këto arsye lind nevoja që të mbështetën blektorët me disa kushte që ata të mos vazhdojnë të abondonojnë këtë aktivitet mjaft të rëndësishëm.

AlbNatyra do të mbështesë disa nga stanet me internet dhe përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare.

Projekti por realizohet në bashkëpunim me AdZM Elbasan nëpërmjet stafit të parkut si dhe me përfshirjen e aktorëve të tjerë lokal.

#CEPF #BirdLife_International #AdZMElbasan #Albanianature


Lilium albanicum(Zambaku Shqiptar)

Posted by: | Posted on: July 18, 2021

Është një nga bimët sub-endemike që gjendet në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Habitati i tij është i shtrirë në copëza brenda zonës strikte të këtij parku.

Në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë ky habitat gjendet në disa sipërfaqe të vogla të evidentuara dhe monitoruara nga specialistët e shoqatës AlbNatyra në bashkëpunim me AdZM Elbasan.

Së shpejti do të publikohen rezultatet e monitorimit të kesaj specie.


Liqenet glaciale (akullnajore) në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Posted by: | Posted on: November 8, 2020

Parku Kombëtar i ekosistemit natyrorë Shebenik -Jabllanicë i shpallur me vkm nr.640 datë 21.05.2008 është një nga parqet me vlera të larta natyrore dhe me një biodiversitet shumë të pasur. Përveç habitateve të rëndësishme siç mund të jenë pyjet e ahut, ku rreth 2300 hektarë janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë botërore natyrore të shpallur nga UNESCO, pyjet e bredhit të bardhë dhe shumë lloje të tjerë në florë dhe faunë.

Parku dallohet edhe për një hidrografi shumë të pasur, si psh liqenet akullnajore (glaciale) lumenj,përrenj,përroska dhe burime të ndryshme.

Nga një studim i kryer nga Inxh. Fatmir Brazhda për liqenet akullnajore në hapësirën e këtij parku , ka konkluduar se këto liqene shtrihen mbi 1800 metra mbi nivelin e detit. Janë 15 liqene akullnajore me madhësi të ndryshme. Psh.liqeni i Likopatrës në Rrajcë ka sipërfaqen më të madhe prej 3.54 hektarë, ndërsa të janë më të vegjël deri në liqene që kanë filluar të mbushen me prurje aluvionale.

Në vargmalin e Shebenikut shtrihen shumica e këtyre liqeneve akullnajore duke krijuar një cirk liqenesh të vendosur në largësi të ndryshme në të gjitha anët e shpateve të malit të Shebenikut. Në këtë vargmal gjenden 11 liqene të cilët inxh. Fatmir Brazhda i ka identifikuar edhe me emrat përkatës: Liqenet e Likopatrës në Rrajcës (dy) , Liqeni i Kuq, Liqenet e Shebenikut (pesë), Liqenet e Dragostunjës (dy), Liqenet e Dupkave (dy).

Më pas janë në malin e Kusarit (Vishoricë-Maja e Zezë) ku ndodhen dy liqene të tjera të quajtura liqenet e Sal Xhyrës. Gjithashtu në Dragan ndodhet dhe Liqeni i Draganit, pra në total 15 liqene.

Theksojmë që 4 liqene janë drejt mbushjes totale, madje dy prej tyre janë vështirë të gjenden. Këto liqene krijojnë peisazhe fantastike dhe atraktive sidomos në stinën e beharit dhe gjatë shkrirjes së akujve.

Vitet e fundit me promovimin e këtij parku nga punonjësit e ADZM Elbasan por edhe nga guida të ndryshme, këto liqene po vizitohen masivisht nga turistë të huaj por edhe vendas.

Në studimin e kryer nga inxh. Fatmir Brazhda ka shumë të dhëna dhe detaje rreth këtyre liqeneve të cilat do të mund të publikohen në një moment të dytë.

Përveç liqeneve akullnajore, në hapësirën e këtij parku gjenden  dhe tre liqene aritificiale (revervuare) sic është Liqeni i Fushë-Studnës, Liqeni i Hysës në Librazhd-Katund dhe Liqeni i Varrit të plakës në Kokrevë.

Ndërsa lumenjtë që gjenden në park janë Lumi i Bushtricës, Lumi i Qarrishtës dhe Lumi i Borovës.

Përrenjtë janë të shumtë dhe ndodhen kudo në sipërfaqen e parkut. Burimet ujore gjithashtu janë të shumta sidomos në vargmalin e Shebenikut por edhe në pjesën e Rrajcës apo të Steblevës.

Nuk lejohet përdorimi i të dhënave pa lejen e autorit !


Nxënësit e Shushicës japin leksion në pastrimin e lumit Shkumbin

Posted by: | Posted on: January 20, 2020

🙋‍♀️Ne e duam dhe kontribojmë për ambjentin tonë, që të jetë gjithmonë i pastër.🚯
Bashkë me nxënësit e shkollës së Mesme Shushicë, Elbasan kontribuam sot për pastrimin e përroit të fshatit Shushicë.♻️
“Ujëra të mbrojtura për komunitete të shëndetshme” është një projekt që mbështetet nga Programi Rajonal për Demokacinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), që finacohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri .

Bashkia Elbasan gjithashtu është kontribuese në këtë projekt dhe është angazhuar me strukturat e saj vendore për mbështetjen e këtij projekti.

Shoqata AlbNatyra ka ndërmarrë disa aktivitete të rëndësishme për reduktimin e ndotjeve të lumit shkumbin nga mbetjet urbane, ku përmendim: Edukimi i brezit të ri, ndërgjegjësimin e banorëve dhe aktorëve të tjerë, monitorimin e ndotjeve, monitorimin e ndotjes së ujit të lumit Shkumbin nëpërmjet analizave laboratorike si dhe ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete në pastrimin e disa pikave të ndotura

Lumi Shkumbin është një nga lumenjtë më të ndotur në vend dhe si pasojë rrezikon jetën e banorëve rreth tij por edhe më tej.


Takimi përmbylles “Mbrojtja e lumit Shkumbin nga ndotjet urbane”

Posted by: | Posted on: May 12, 2019

Sot në Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë u prezantua raporti përfundimtar dhe plani i veprimit për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Librazhd me qëllim reduktimin e mbetjeve urbane në Lumin Shkumbin.
E gjithë periudha e zbatimit të projektit përveç realizimit dhe tejkalimin e objektivave të përcaktuara, pati dhe një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë Librazhd, AdZM Elbasan, Drejtoritë e Shkollave, IShMP, DShP të cilët duam ti falenderojmë për çdo mbështetje.
➡️UNDP dhe stafi ReLOaD, mbështetësi kryesor i këtij projekti ndoqi hap pas hapi zbatimin e tij duke udhëzuar dhe rritur kapacitetet organizative të shoqatës AlbNatyra, një kontribut mjaft i vlefshëm dhe i qëndrueshëm.
Projekti ” Mbrotja e lumit Shkumbin nga mbetjet urbane” u realizua në zbatim të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore (ReLOaD) në Ballkanin perëndimor i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe ky program zbatohet nga UNDP në 12 bashki në Shqipëri.

♻️☘♻️
#ReLOaD #UNDP #EuropeanUnionAlbania 
#BashkiaLibrazhd #AdZMElbasan 
#AlbNatyra


Zambaku Shqiptar / Lilium albanicum

Posted by: | Posted on: February 8, 2024

🥀Zambaku shqiptar (Lilium albanicum) është bimë me bulb, me një 30-40 cm. Gjethet janë vizake, majëmprehta, me 7 nervura, gjysmë-pushtuese. Lulet janë të vetmuara, rrallë 2-3 dhe të varura. Tepalet janë ngjyrë të verdhë ari, pa njolla përsipër, të harkuara deri të spërveshura. Thekët janë shumë të dalë dhe të varur. Pjalmoret janë ngjyrë portokalli. Fenologjia perfshin muajt maj-korrik. Kjo bimë është endemike🥀

Përhapja Kjo bimë barishtore gjendet në kullota e livadhe subalpine dhe alpine, kryesisht në Parku Kombëtar Shebenik🏔️

Statusi Zambaku shqiptar është pjesë e Listës së Kuqe të Flores si lloj i rrezikuar (EN).

AlbNatyra në të ardhmen synon që të kryejë një studim dhe një hartëzim të shtrirjes të zambakut në territorin e Parkut Kombëtar Shebenik.

Nga një vëzhgim i rastësishëm është vërejtur që ky habitatet gjendet në vargmalin e Shebenikut dhe Mali i Mirakut në një lartësi mbi 2000 metra mbi nivelin e detit🏔️


Të rinjtë për natyrën e Parkut Kombëtar Shebenik

Posted by: | Posted on: June 1, 2023

Gjatë fundjavës kishim kënaqësinë të zhvillonim ekspeditën e radhës me nxënësit shkollës “Vilson Blloshmi”, dhe këtë herë shprehën dëshirën e na u bashkuan edhe nxënës pak më të vegjël por të appasionuar pas natyrës, nxënësit e shkollës “Genc Leka”.

Së bashku, eksploruam natyrën, mësuam për mjedisin dhe diskutuam mbi rëndësinë që ka përkujdesja për të.

Ndalesa e parë ishte “Qendra e Vizitorëve”, ku fëmijët mësuan për llojet e ndryshme të bimëve dhe kafshëve që e quajnë parkun e Shebenikut shtëpinë e tyre. Nga zogjtë mahnitës deri te kafshët e fshehura, kishte shumë për të zbuluar dhe kuptuar mbi biodiversitetin e parkut dhe rëndësinë që ai ka.

Vazhduam ecjen më tej në park, ku u përshëndetëm nga pamja e mrekullueshme e Liqenit të Fushës së Studnës i cili shtrihet mbi fushen e stergjatur perbri pyjeve te larta te ahut.

Gjatë ecjes tonë mësuam mbi praktikat e monitorimit të zonave të mbrojtura dhe gjithashtu zhvilluam një monitorim të dendësisë të bimës së Salepit (Orchis mascula), ku shënuam më shumë se 200 specie të kësaj bime në zonën përreth Liqenit! Me këtë ekspeditë, synuam jo vetëm të edukojmë dhe frymëzojmë këto mendje të reja dhe rritjen e kapaciteteve monitoruese por edhe të kultivojmë një ndjenjë përgjegjësie ndaj mjedisit tonë. Duke dëshmuar bukurinë e Parkut Shebenik, shpresojmë të rrisim te këta nxënës një pasion për ruajtjen e mjedisit që do të
zgjasë gjithë jetën.

Ky aktivitet mbeshtetet Prespa Ohrid Nature Trust (PONT ) nnepermjet projektit “Strengthening the role of local community as an important stakeholder for biodiversity protection”.


Prespa Ohrid Nature Trust – PONT


Ne mbeshtetje te fermereve te rinj te Shebenikut

Posted by: | Posted on: May 6, 2023

Kishim kënaqësinë të mirëpritnim në një vizitë në zonën tone të projektit, përfaqësuesit e PONT dhe CEPF, të cilët janë mbështetësit e dy projekte aktuale që po zbatojmë. Gjatë kësaj vizite, u takuam dhe na priti në stanin e tij, Tafil Allkja së bashku me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Isain.

Është frymëzuese të shohim punën e palodhur të banorëve vendas dhe vlerësojmë gjithmonë rolin dhe ndihmën që mbarështrimi i bagëtive të imta.

Dy vellezerit kane vendosur te mbarshtojne bagetite e imta (dhi) te cilat gjate sezonit te veres por edhe pjeserisht ne dimer i kullosin ne pyjet dhe kullotat e Parkut Kombetar Shebenik.

Shoqata AlbNatyra po punon për mbeshtetjen e barinjve te rinj si nje brez i cili duhet te mesoje me shume per mbrotjen e mjedisit, bimeve te rrezikuara por edhe rritjen e ekonomise lokale.

Nepermjet mbeshtetjes te siguruar nga CEPF, ne jemi duke vazhduar me procesin e ndergjegjesimit, komunikimit dhe nxitjes te komunitetit dhe te barinjve per mbrojtjen e specieve te rrezikuara ne park.

Ne zbatim te aktiviteteve te projektit do te mbeshtesim keto barinj me disa aksesore te nevojshem dhe jetesore per ta, si; panele diellore, permiresimin e kushteve higjenes dhe mjete te tjera te domosdoshme.


Të rinjtë kontriboujnë për mjedisin e parkut kombëtar Shebenik

Posted by: | Posted on: May 16, 2022

Klubi i Mjedisit të shkollës ‘Shefqet Dosku’’ në Dorëz, së bashku me stafin e AdZM Elbasan krahas viztës të realizuar në Shpellën e Akullit pikturuan koritën e ujit të bagëtive, e cila është ndërtuar vitin e shkuar nga projekti i mbështetjes së blegtorëve zbatuar nga AlbNatyra dhe finacuar nga CEPF.

Kjo veprimtari u zhvillua si pjesë e programit mjedisor financuar nga PONT dhe CEPF.

Fotot flasin vetë andaj ju ftojmë të shikoni se çfarë pune e bukur është bërë sot, ky është një nga postimet e shoqatës AlbNatyra në fanpage të facebook-ut.

Shoqata AlbNatyra gjatë kësaj periudhe po zhvillon një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe mbrojtjen e parkut, sidomos në aktivimin e komunitetit dhe shoqërisë civile për të reaguar në situata emergjente që mund të shfaqen në mjedisin e parkut kombëtar Shebenik.



Prespa Ohrid Nature Trust (PONT)

Critical Ecosystem Partnership Found

27 Janari, Nostalgji apo Homazh për Shërbimin Pyjor Shqiptar ?!

Posted by: | Posted on: January 26, 2022

27 Janar 2022 – kujtesë, nostalgji…apo homazh për ish Shërbimin Pyjor Shqiptar?

Në këtë shkrim nuk pretendoj të them ndonjë gjë të re, por thjesht të hedh në vëmendje të opinionit, shqetësimet e mia për pyjet e Shërbimin Pyjor Shqiptar ku kam punuar për gati 44 vite, dhe jam larguar 7 muaj e 6 ditë  para daljes në pension.

Për Pyjet është vështirë të bësh krahasime me periudhën e socializmit pasi merr mbi vete shumë epitete si: komunist, nostalgjik, etj. etj. Dhe këto epitete vijnë jo vetëm nga politikanët, por për fat të keq, edhe nga specialistë pyjesh që  sipas përkatësisë partiake hipin e zbresin nga karriget e zyrave në Ministri apo në karriget e drejtorëve në rrethe e qarqe apo bashki; por gati 30 vjet pas ndryshimit të sistemit, Pyjet dhe Shërbimi Pyjor janë në ditët më të zeza dhe perspektiva është shumë e errët. Kjo situatë është kaq kaotike sa që nuk di se nga t`ia nisësh.

♦ Qeveritë e “suksesshnme”, Kryeministrat e “suksesshëm”, Ministrat e “suksesshëm”, Drejtorët e “suksesshëm”; Kryeministrat  “Reformatorë”,  Ministrat “Reformatorë”,  por, për fat të keq dhe specialistë pyjesh, shumë e shumë të “sukseshëm” e “reformatorë”,  sot pas gati 30 viteve nga ndryshimi i sistemit, nuk dinë sa pyje ka Shqipëria, sepse nuk kanë arritur të bëjnë një inventarizim të pyjeve dhe sot e kësaj dite invetarizimi më i saktë është ai vitit 1985 !!!????. Sukseset e tyre qeveritë i krahasojnë duke mbajtur kokën pas – “unë jam më i mirë se ai që ishte”.

Në  këtë  kuadër dëshiroj të  bëj 2 pyetje për kolegët e Ministrisë  së  Mjedisit dhe Agjencisë  Kombëtare të  Mjedisit, por dhe Institucioneve të tjera me rol kontrollues:

1. Ku i kanë  gjetur të  dhënat e inventarit kombëtar të  pyjeve të  vitit 2004 që  kanë  referuar në  raportin  “Gjendja e Mjedisit 2016” ??????. Pse nuk janë publikuar të dhënat e këtij inventari?.  

2. Pse nuk po botohen të dhënat e invetarizimit kombëtar të pyjeve 218-2019, (pavarsisht se në terren kanë punuar me përkushtim specialistë të aftë, unë mendoj se përveç disa statistikave të përgjithshme, për shkak edhe të metodikës së përdorur) nuk mund të presim ndonjë të dhënë që mund të vlejë për të ardhmen e pyjeve. Në vazhdim të këtij mendimi, nëse me ato fonde, mjete e specialistë që ka pasur për këtë qëllim, po të ishte ndjekur përvoja e invetarizimit vitit 1985 do të kishim një pasqyrë shumë më reale dhe me të dhëna bazike për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të pyjeve. Evidencat dhe masat për mirëqeverisjen e pyjeve fillojnë nga nëngastra e mbrrijnë te Fondi i Përgjithshëm Pyjor Shtetëror. E kundërta nuk e kuptoj se ku të çon.

Por me këto shifra thonë se Qeveria do të ndërtojë  Politika e Strategji “të mëdha” për të ardhmen e Pyjeve. Kjo lë shumë për të dëshiruar sepse qeveria për të ndërtuar të tilla “Politika” e “Strategji”, p.sh. për gështenjën, nuk përdor shifrat e kadastrës pyjore të vitit 2011 (ose ndoshta në strukturën e ministrisë përkatëse nuk ka më kadastër pyjore) ku në rrethin e Elbasanit janë 782 ha  me gështenjë, as botimin mbi gështenjën të vitit 2016 botuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (inxh. Gjon Fierza dhe ag. Koço Mosko – 2016)  me 818 ha; por studimin e Institutit të Studimeve për Ekonominë dhe Transferimin e Teknologjisë (“Studim për sektorin e gështenjës”:  Prof. Dr. Engjëll Skreli, Prof. Assoc. Drini Imami -Tiranë 2019) që në rrethin e Elbasanit thotë se ka gjithsej 6 ha me gështenjë???!!!!

E vërteta është se këto 30 vitet e fundit janë investuar shumë për shtimin e pyjeve, nga Buxheti i Shtetit, Banka Botërore, Shoqata e Fondacione të ndryshme. Por, a ka ndonjë evidencë se sa fidanë janë mbjellë dhe sa janë sot gjallë?! A ka ndonjë përgjigje për këtë? A ka ndonjë Institucion që do të duhej të mbanjë përgjegjësi për fatin e këtyre investim?!

Çfarë prodhoi e ashtuquajtura reformë e vitit 2013:

♦ “Reforma” u bë mbi bazën e një ligji fantazëm. Them fantazëm pasi edhe sot pas 5-6 viteve akoma nuk është miratuar një ligj i tillë.

                Si pasojë e kësaj “reforme” që nga viti 2013 nuk kishte shërbim pyjor në terren – shërbimi u organizuar në tre nivele: ministri, qark dhe rreth. Pra në pyll nuk kishte nevojë për shërbim pyjor. A mund të na thonë “reformatorët” qoftë edhe vetëm një shembull të tillë në botë?

♦ Organizimi i Inspektoriatit Pyjore ishte një ide e mirë, por mënyra si u organizua dhe funksionoi lë shumë për të dëshiruar. Kompetencat dhe bashkëveprimi ishin dhe akoma janë të paqarta. Ndryshimet e herëpashershme të kuadrit ligjor dhe të varësisë institucionale (një imitim i shëmtuar i reformës së shtetit  Italian me “Corpo forestale dello Stato”) ka bërë që sot (2022) nuk dihet se si funksionon.

♦ Me transferimin e pyjeve në pronësi të bashkive, pyjet dhe shërbimi pyjor morën një goditje tjetër. Por u përgatit “mirë” nga “specialistët” sepse të gjitha pyjet me potencial prodhues u dhanë me konçesion ose me kontarta 10 vjeçare shfrytëzimi-thonë ustallarët që i bënë këto punë. Edhe në brendësi të fondit pyjor dorëzuar bashkive ka sipërfaqe të konsiderueshme që prej vitesh janë kthyer në toka buke ose në ngastra drurë pemorë që në evidencë njihen si fond pyjor. (Nuk e di se si do e pasqyrohet ky fenomen në inventarizimi i fundit apo në Planet e Menaxhimit që po hartohen nga bashkitë, pasi Kadastra Pyjore nuk e di në mund të quhet më e tillë).

♦ Po bëhen mbi 2 vjet që ka hyrë në fuqi ligji Nr. 57/2020 “PËR PYJET”. Sipas detyrimit ligjor Ministria dhe organet vartëse duhet të kishin nxjerrë aktet nënligjore brenda datës 03.06.2021. Deri më sot (janar 2022) akoma nuk ka dalë asnjë akt nënligjor. Si mundet të funksionojë Shërbimi Pyjor pa akte nënligjore. Si do të mbrohen pyjet?   

♦ Specialistët e pyjeve, por edhe të fushave të tjera nuk po vlerësohen. Fakulteti i Pyjeve, për fat të keq si shumë institucione të tjera arsimore në Shqipëri, nëpërmjet formës “part time” u bë vatër e përgatitjes së Militantëve të pyjeve, për të cilët, për t’u dhënë notë kaluese u ndërruan dhe profesorët (nuk e kam fjalë për atë pjesë me përvojë të gjatë si teknikë të mesëm që e meritonin një kulifikim të tillë), ku shumë prej tyre nuk kishin asnjë lidhje me profesionin e pyjeve.

Institucionet më të larta të pyjeve si Agjencia Kombëtare e Pyjeve (nuk e kuptoj se ç’lidhje ka kjo Agjenci me Kombin), Drejtoritë apo Agjencitë e Pyjeve të bashkive janë mbushur me militantë. Përjashtim bën pjesërisht Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Kjo bën që Fakulteti i Pyjeve dhe Teknikumi Pyjor (jam ish nxënës i atij Teknimumi, por me keqardheje konstatoj se më shumë promovojnë përpunimin e lëndës drusore që më së shumti janë produkte  të përpunimit të drurit e jo dërrasë, sesa shtimin e pyjeve) janë drejt mbylljes sepse nuk gjejnë vend në shërbimin pyjor. As që bëhet fjalë për emërime me testime e meritokraci.

Specialistët e pyjeve shpërblehen me pagat më të ulta (sa për kujtesë në sistemin e kaluar një inxhinier pyjesh paguhej 55-60 % të pagës së kryeministrit ndërsa sot ………. . (Do të dëshiroja të pyesja këto politikanët e sotëm, që nuk lënë gjë pa thënë për diktaturën,  ku e kanë miratuar këtë raport pagash që aplikojnë sot: në Kuran, Bibël apo në Kushtetutë ????. Për mua këta politikanë  nuk kanë moral të kritikojnë, të paktën në këtë drejtim.)

Mungesa e trajtimit te pyjeve

♦ Megjithëse ligjërisht punonjësit e Shërbimit Pyjor duhet të pajisen me uniforma, ka vite e vite që këto uniforma janë harruar, edhe këtu pjesërisht ka përjashtim për AKZM e cila dhe ajo ka shumë mungesa.

♦ Me transferimin e pyjeve në pushtetin vendor thuhet se pushteti vendor  ka kompetenca  etj etj. Por në fakt kompetencat i ka po Qeveria. Dhe ajo bën gjithçka për të përfituar. Dhe këtë e bën nëpërmjet vendimeve të saj që jo rrallë janë të kundërligjshme dhe nuk i hyn gjemb në këmbë pasi “vendimet kolegjiale” nuk kanë përgjegjësi penale!!!.

Po përmend vetëm vendimet që merren për lejimin e HC në zonat e Mbrojtura si p.sh. ai i Bushtricës në Librazhd. Le të shohim çfar thotë ligjiNr. 81/2017“Për zonat e mbrojtura”: neni 36 “Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore”.

Pyetja është shumë e thjeshtë: çfarë përmirësimi sjell ndërtimi i HC për zonën e mbrojtur përveç përmirësimit të interesave të personave të interesuar?.

♦ Dhe së fundi: në vitin 1931 qeveria Shqiptare shpalli periudhën 20-27 nëntor “Java e Drurit”  e cila rifilloi në vitin 1948 me emrin “Java e Pyllit”  dhe më pas “Muaji i Pyjeve”. Nga fillimi i këtyre periudhave deri në filllimvitet `90 kishte veprimtari konkrete që parapriheshin me masa konkrete. Po sot? Më shumti ka propogandë, dalje publike të pushtetarëve dhe relkama. Dhe është për të ardhur keq edhe për formën e gjuhën që përdoret në këto dalje propogandistike. Dikujt mund t`i duket e parëndësishme por të revolton zhargoni që përdorin pushtetarët e çdo niveli, e që për fat të keq imitohen edhe nga disa “specialistë” pyjesh. E çka thonë? Ata flasin e shkruajnë: kemi mbjellë ….pemë; do të mbjellim ….rrënjë pemë, etj. etj. 

Por i madhi Naim e ka shkruar Shqip, qartë, bukur dhe kuptueshëm: “drunjtë pemorë” (shih; “KATËR STINËT”, f. 67, Shqipëruar mjeshtërisht nga Vexhi Buharaja).

Termi “drurë frutorë” është i gabuar sepse fruta prodhojnë të gjitha bimët, por frutat e ngrënshëm të drurëve quhen “pemë”.

Pra termat e duhur mendoj se janë: drunj / drurë pyjorë, drunj / drurë pemorë; fidanë pyjorë të llojit / llojeve…………, fidanë pemorë të llojit / llojeve………….

Hasan Deliu

inxhinier në  pension.

Elbasan, janar 2022.


Share
Translate »
error: KUJDES! Kopjimi eshte i ndaluar!