27 Janar 2022 – kujtesë, nostalgji…apo homazh për ish Shërbimin Pyjor Shqiptar?

Në këtë shkrim nuk pretendoj të them ndonjë gjë të re, por thjesht të hedh në vëmendje të opinionit, shqetësimet e mia për pyjet e Shërbimin Pyjor Shqiptar ku kam punuar për gati 44 vite, dhe jam larguar 7 muaj e 6 ditë para daljes në pension.
Për Pyjet është vështirë të bësh krahasime me periudhën e socializmit pasi merr mbi vete shumë epitete si: komunist, nostalgjik, etj. etj. Dhe këto epitete vijnë jo vetëm nga politikanët, por për fat të keq, edhe nga specialistë pyjesh që sipas përkatësisë partiake hipin e zbresin nga karriget e zyrave në Ministri apo në karriget e drejtorëve në rrethe e qarqe apo bashki; por gati 30 vjet pas ndryshimit të sistemit, Pyjet dhe Shërbimi Pyjor janë në ditët më të zeza dhe perspektiva është shumë e errët. Kjo situatë është kaq kaotike sa që nuk di se nga t`ia nisësh.
♦ Qeveritë e “suksesshnme”, Kryeministrat e “suksesshëm”, Ministrat e “suksesshëm”, Drejtorët e “suksesshëm”; Kryeministrat “Reformatorë”, Ministrat “Reformatorë”, por, për fat të keq dhe specialistë pyjesh, shumë e shumë të “sukseshëm” e “reformatorë”, sot pas gati 30 viteve nga ndryshimi i sistemit, nuk dinë sa pyje ka Shqipëria, sepse nuk kanë arritur të bëjnë një inventarizim të pyjeve dhe sot e kësaj dite invetarizimi më i saktë është ai vitit 1985 !!!????. Sukseset e tyre qeveritë i krahasojnë duke mbajtur kokën pas – “unë jam më i mirë se ai që ishte”.
Në këtë kuadër dëshiroj të bëj 2 pyetje për kolegët e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, por dhe Institucioneve të tjera me rol kontrollues:
1. Ku i kanë gjetur të dhënat e inventarit kombëtar të pyjeve të vitit 2004 që kanë referuar në raportin “Gjendja e Mjedisit 2016” ??????. Pse nuk janë publikuar të dhënat e këtij inventari?.
2. Pse nuk po botohen të dhënat e invetarizimit kombëtar të pyjeve 218-2019, (pavarsisht se në terren kanë punuar me përkushtim specialistë të aftë, unë mendoj se përveç disa statistikave të përgjithshme, për shkak edhe të metodikës së përdorur) nuk mund të presim ndonjë të dhënë që mund të vlejë për të ardhmen e pyjeve. Në vazhdim të këtij mendimi, nëse me ato fonde, mjete e specialistë që ka pasur për këtë qëllim, po të ishte ndjekur përvoja e invetarizimit vitit 1985 do të kishim një pasqyrë shumë më reale dhe me të dhëna bazike për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të pyjeve. Evidencat dhe masat për mirëqeverisjen e pyjeve fillojnë nga nëngastra e mbrrijnë te Fondi i Përgjithshëm Pyjor Shtetëror. E kundërta nuk e kuptoj se ku të çon.
Por me këto shifra thonë se Qeveria do të ndërtojë Politika e Strategji “të mëdha” për të ardhmen e Pyjeve. Kjo lë shumë për të dëshiruar sepse qeveria për të ndërtuar të tilla “Politika” e “Strategji”, p.sh. për gështenjën, nuk përdor shifrat e kadastrës pyjore të vitit 2011 (ose ndoshta në strukturën e ministrisë përkatëse nuk ka më kadastër pyjore) ku në rrethin e Elbasanit janë 782 ha me gështenjë, as botimin mbi gështenjën të vitit 2016 botuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (inxh. Gjon Fierza dhe ag. Koço Mosko – 2016) me 818 ha; por studimin e Institutit të Studimeve për Ekonominë dhe Transferimin e Teknologjisë (“Studim për sektorin e gështenjës”: Prof. Dr. Engjëll Skreli, Prof. Assoc. Drini Imami -Tiranë 2019) që në rrethin e Elbasanit thotë se ka gjithsej 6 ha me gështenjë???!!!!
E vërteta është se këto 30 vitet e fundit janë investuar shumë për shtimin e pyjeve, nga Buxheti i Shtetit, Banka Botërore, Shoqata e Fondacione të ndryshme. Por, a ka ndonjë evidencë se sa fidanë janë mbjellë dhe sa janë sot gjallë?! A ka ndonjë përgjigje për këtë? A ka ndonjë Institucion që do të duhej të mbanjë përgjegjësi për fatin e këtyre investim?!

Çfarë prodhoi e ashtuquajtura reformë e vitit 2013:
♦ “Reforma” u bë mbi bazën e një ligji fantazëm. Them fantazëm pasi edhe sot pas 5-6 viteve akoma nuk është miratuar një ligj i tillë.
Si pasojë e kësaj “reforme” që nga viti 2013 nuk kishte shërbim pyjor në terren – shërbimi u organizuar në tre nivele: ministri, qark dhe rreth. Pra në pyll nuk kishte nevojë për shërbim pyjor. A mund të na thonë “reformatorët” qoftë edhe vetëm një shembull të tillë në botë?
♦ Organizimi i Inspektoriatit Pyjore ishte një ide e mirë, por mënyra si u organizua dhe funksionoi lë shumë për të dëshiruar. Kompetencat dhe bashkëveprimi ishin dhe akoma janë të paqarta. Ndryshimet e herëpashershme të kuadrit ligjor dhe të varësisë institucionale (një imitim i shëmtuar i reformës së shtetit Italian me “Corpo forestale dello Stato”) ka bërë që sot (2022) nuk dihet se si funksionon.
♦ Me transferimin e pyjeve në pronësi të bashkive, pyjet dhe shërbimi pyjor morën një goditje tjetër. Por u përgatit “mirë” nga “specialistët” sepse të gjitha pyjet me potencial prodhues u dhanë me konçesion ose me kontarta 10 vjeçare shfrytëzimi-thonë ustallarët që i bënë këto punë. Edhe në brendësi të fondit pyjor dorëzuar bashkive ka sipërfaqe të konsiderueshme që prej vitesh janë kthyer në toka buke ose në ngastra drurë pemorë që në evidencë njihen si fond pyjor. (Nuk e di se si do e pasqyrohet ky fenomen në inventarizimi i fundit apo në Planet e Menaxhimit që po hartohen nga bashkitë, pasi Kadastra Pyjore nuk e di në mund të quhet më e tillë).
♦ Po bëhen mbi 2 vjet që ka hyrë në fuqi ligji Nr. 57/2020 “PËR PYJET”. Sipas detyrimit ligjor Ministria dhe organet vartëse duhet të kishin nxjerrë aktet nënligjore brenda datës 03.06.2021. Deri më sot (janar 2022) akoma nuk ka dalë asnjë akt nënligjor. Si mundet të funksionojë Shërbimi Pyjor pa akte nënligjore. Si do të mbrohen pyjet?
♦ Specialistët e pyjeve, por edhe të fushave të tjera nuk po vlerësohen. Fakulteti i Pyjeve, për fat të keq si shumë institucione të tjera arsimore në Shqipëri, nëpërmjet formës “part time” u bë vatër e përgatitjes së Militantëve të pyjeve, për të cilët, për t’u dhënë notë kaluese u ndërruan dhe profesorët (nuk e kam fjalë për atë pjesë me përvojë të gjatë si teknikë të mesëm që e meritonin një kulifikim të tillë), ku shumë prej tyre nuk kishin asnjë lidhje me profesionin e pyjeve.
Institucionet më të larta të pyjeve si Agjencia Kombëtare e Pyjeve (nuk e kuptoj se ç’lidhje ka kjo Agjenci me Kombin), Drejtoritë apo Agjencitë e Pyjeve të bashkive janë mbushur me militantë. Përjashtim bën pjesërisht Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Kjo bën që Fakulteti i Pyjeve dhe Teknikumi Pyjor (jam ish nxënës i atij Teknimumi, por me keqardheje konstatoj se më shumë promovojnë përpunimin e lëndës drusore që më së shumti janë produkte të përpunimit të drurit e jo dërrasë, sesa shtimin e pyjeve) janë drejt mbylljes sepse nuk gjejnë vend në shërbimin pyjor. As që bëhet fjalë për emërime me testime e meritokraci.
Specialistët e pyjeve shpërblehen me pagat më të ulta (sa për kujtesë në sistemin e kaluar një inxhinier pyjesh paguhej 55-60 % të pagës së kryeministrit ndërsa sot ………. . (Do të dëshiroja të pyesja këto politikanët e sotëm, që nuk lënë gjë pa thënë për diktaturën, ku e kanë miratuar këtë raport pagash që aplikojnë sot: në Kuran, Bibël apo në Kushtetutë ????. Për mua këta politikanë nuk kanë moral të kritikojnë, të paktën në këtë drejtim.)

♦ Megjithëse ligjërisht punonjësit e Shërbimit Pyjor duhet të pajisen me uniforma, ka vite e vite që këto uniforma janë harruar, edhe këtu pjesërisht ka përjashtim për AKZM e cila dhe ajo ka shumë mungesa.
♦ Me transferimin e pyjeve në pushtetin vendor thuhet se pushteti vendor ka kompetenca etj etj. Por në fakt kompetencat i ka po Qeveria. Dhe ajo bën gjithçka për të përfituar. Dhe këtë e bën nëpërmjet vendimeve të saj që jo rrallë janë të kundërligjshme dhe nuk i hyn gjemb në këmbë pasi “vendimet kolegjiale” nuk kanë përgjegjësi penale!!!.
Po përmend vetëm vendimet që merren për lejimin e HC në zonat e Mbrojtura si p.sh. ai i Bushtricës në Librazhd. Le të shohim çfar thotë ligjiNr. 81/2017“Për zonat e mbrojtura”: neni 36 “Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore”.
Pyetja është shumë e thjeshtë: çfarë përmirësimi sjell ndërtimi i HC për zonën e mbrojtur përveç përmirësimit të interesave të personave të interesuar?.
♦ Dhe së fundi: në vitin 1931 qeveria Shqiptare shpalli periudhën 20-27 nëntor “Java e Drurit” e cila rifilloi në vitin 1948 me emrin “Java e Pyllit” dhe më pas “Muaji i Pyjeve”. Nga fillimi i këtyre periudhave deri në filllimvitet `90 kishte veprimtari konkrete që parapriheshin me masa konkrete. Po sot? Më shumti ka propogandë, dalje publike të pushtetarëve dhe relkama. Dhe është për të ardhur keq edhe për formën e gjuhën që përdoret në këto dalje propogandistike. Dikujt mund t`i duket e parëndësishme por të revolton zhargoni që përdorin pushtetarët e çdo niveli, e që për fat të keq imitohen edhe nga disa “specialistë” pyjesh. E çka thonë? Ata flasin e shkruajnë: kemi mbjellë ….pemë; do të mbjellim ….rrënjë pemë, etj. etj.
Por i madhi Naim e ka shkruar Shqip, qartë, bukur dhe kuptueshëm: “drunjtë pemorë” (shih; “KATËR STINËT”, f. 67, Shqipëruar mjeshtërisht nga Vexhi Buharaja).
Termi “drurë frutorë” është i gabuar sepse fruta prodhojnë të gjitha bimët, por frutat e ngrënshëm të drurëve quhen “pemë”.
Pra termat e duhur mendoj se janë: drunj / drurë pyjorë, drunj / drurë pemorë; fidanë pyjorë të llojit / llojeve…………, fidanë pemorë të llojit / llojeve………….
Hasan Deliu
inxhinier në pension.
Elbasan, janar 2022.