Tashmë është bërë traditë e përvitshme e këtij aktiviteti të madh festiv i cili organizohet nën kujdesin e stafit të Komunës Gjinar, Elbasan në fillim të muajit qershor .
Një festë pothuajse me shumë aktivitete, duke filluar nga panairi me produkte vendase: bulmet, mjaltë, komposto, pije etj, të cilat serviren nga banorët. Gjithashtu kemi dhe produktet artizanale ku përmendim punimet me grep, qëndistari si dhe veshjet dhe kostumet popullore që e bëjnë këtë festë mjaft interesante për pjesëmarrësit e shumtë, të cilët vijnë nga të gjitha anët jo vetëm nga komuna Gjinar por edhe nga Elbasani, Tirana e pse jo edhe të huaj (Zv.Ambasadorja e Suedisë).
Vlerësime maksimale ka marrë stafi organizativ, i cili me modestinë dhe me mundësitë e pakta financiare arrijnë të realizojnë një koncert me kenge, valle dhe lojra popullore tradiconale të zonës. Te ftuarit në këtë festë janë të shumtë, por vihet re pjesëmarrja e deputetëve të zones, prefekti, kryetarë komunash etj, të cilët e vlerësojnë këtë aktivitet dhe e shohin me interes te madh .
Tradita e komunës Gjinar vazhdon në një mënyrë të qëndrueshme dhe kjo festë tashmë ka marre një emër ”Miqtë e malit”, me një kuptim të madh ku njerëzit ngado që vijnë shijojnë bukuritë natyrore të pikes turistike Gjinar, e cila u jep mundësinë e çlodhjes dhe argëtimit në një peisazh të gjelbër si dhe me një ajer të pastër të ofruar nga pishat bujare, të cilat janë mbrojtur me fanatizëm nga komuniteti i kësaj zone.
Për realizimin e kësaj feste të madhe Komuna Gjinar ka bashkëpunuar ngushtë me fondacionin CNVP, e cila disa vjet rresht ka mbështetur këtë komunë në shumë projekte mbi pyjet dhe kullotat, ku këtu vlen të permenden : regjistrimi i pyjeve në pronësi të komunës, hartimit të planit strategjik, ngritja e kapaciteteve organizative e shoqatës së zhvillimit të burimeve natyrore si dhe mundësimin e shkëmbimit të eksperiencave dhe përvojave me shoqata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Janaq Male, drejtues i kësaj organizate, në çdo kohë ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbështetur këto aktivitete që i japin jetë zonave rurale.
Vlerësojmë dhe inkurajojmë stafin e kësaj komune të ndjekë këtë rrugë për të konkretizuar projekte të tjera të rëndësishme për zhvillimin rural të kësaj zone.









