Liqenet glaciale (akullnajore) në parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Posted by: | Posted on: November 8, 2020

Parku Kombëtar i ekosistemit natyrorë Shebenik -Jabllanicë i shpallur me vkm nr.640 datë 21.05.2008 është një nga parqet me vlera të larta natyrore dhe me një biodiversitet shumë të pasur. Përveç habitateve të rëndësishme siç mund të jenë pyjet e ahut, ku rreth 2300 hektarë janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë botërore natyrore të shpallur nga UNESCO, pyjet e bredhit të bardhë dhe shumë lloje të tjerë në florë dhe faunë.

Parku dallohet edhe për një hidrografi shumë të pasur, si psh liqenet akullnajore (glaciale) lumenj,përrenj,përroska dhe burime të ndryshme.

Nga një studim i kryer nga Inxh. Fatmir Brazhda për liqenet akullnajore në hapësirën e këtij parku , ka konkluduar se këto liqene shtrihen mbi 1800 metra mbi nivelin e detit. Janë 15 liqene akullnajore me madhësi të ndryshme. Psh.liqeni i Likopatrës në Rrajcë ka sipërfaqen më të madhe prej 3.54 hektarë, ndërsa të janë më të vegjël deri në liqene që kanë filluar të mbushen me prurje aluvionale.

Në vargmalin e Shebenikut shtrihen shumica e këtyre liqeneve akullnajore duke krijuar një cirk liqenesh të vendosur në largësi të ndryshme në të gjitha anët e shpateve të malit të Shebenikut. Në këtë vargmal gjenden 11 liqene të cilët inxh. Fatmir Brazhda i ka identifikuar edhe me emrat përkatës: Liqenet e Likopatrës në Rrajcës (dy) , Liqeni i Kuq, Liqenet e Shebenikut (pesë), Liqenet e Dragostunjës (dy), Liqenet e Dupkave (dy).

Më pas janë në malin e Kusarit (Vishoricë-Maja e Zezë) ku ndodhen dy liqene të tjera të quajtura liqenet e Sal Xhyrës. Gjithashtu në Dragan ndodhet dhe Liqeni i Draganit, pra në total 15 liqene.

Theksojmë që 4 liqene janë drejt mbushjes totale, madje dy prej tyre janë vështirë të gjenden. Këto liqene krijojnë peisazhe fantastike dhe atraktive sidomos në stinën e beharit dhe gjatë shkrirjes së akujve.

Vitet e fundit me promovimin e këtij parku nga punonjësit e ADZM Elbasan por edhe nga guida të ndryshme, këto liqene po vizitohen masivisht nga turistë të huaj por edhe vendas.

Në studimin e kryer nga inxh. Fatmir Brazhda ka shumë të dhëna dhe detaje rreth këtyre liqeneve të cilat do të mund të publikohen në një moment të dytë.

Përveç liqeneve akullnajore, në hapësirën e këtij parku gjenden  dhe tre liqene aritificiale (revervuare) sic është Liqeni i Fushë-Studnës, Liqeni i Hysës në Librazhd-Katund dhe Liqeni i Varrit të plakës në Kokrevë.

Ndërsa lumenjtë që gjenden në park janë Lumi i Bushtricës, Lumi i Qarrishtës dhe Lumi i Borovës.

Përrenjtë janë të shumtë dhe ndodhen kudo në sipërfaqen e parkut. Burimet ujore gjithashtu janë të shumta sidomos në vargmalin e Shebenikut por edhe në pjesën e Rrajcës apo të Steblevës.

Nuk lejohet përdorimi i të dhënave pa lejen e autorit !





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share
Translate »
error: KUJDES! Kopjimi eshte i ndaluar!