Malet e Kuqe

Posted by: | Posted on: September 12, 2020

Malet e Kuqe, kështu më kujtohet nga fëmijëria kur dëgjoja të moshuarit që diskutonin në ndonjë sebep apo takime të ndryshme të asaj kohe. Kush janë Malet e Kuqe?

Sot si çdo toponim i huaj që ka ngelur nga sundimet e ndryshme në vendin tonë, ashtu dhe ky mal sot quhet Shebenik. Nga disa të dhëna jo zyrtare thuhet që emri Shebenik ka ngelur për faktin që kur u punuan hartat ushtarake Shqiptare, ishin të përfshirë specialistë të ushtrisë Ruse dhe Jugosllave dhe qëllimisht këto emra jo vetëm që nuk u ndryshuan me emra Shqip por ndodhi e kundërta. Shumë emërtime dhe toponime u shënuan në gjuhën sllave. Fjala Shebenik nuk ka asnjë kuptim në gjuhën Shqipe, ndërsa Malet e Kuqe është emri origjinal që është trashëguar brez pas brezi në zonën e Librazhdit. Pse quheshin malet e kuqe? Ky emër mendohet të ketë ardhur për shkak se gjatë perëndimit të diellit këto maja malesh vezullojnë në gjyrë të kuqerremtë. Ky vezullim vjen për shkak se Malet e Kuqe (Shebenik) janë të përbërë nga shkëmbinj me mineral kromi dhe hekur-nikeli. Emri Shebenik përveç faktit që ngeli në hartat ushtarake të përgatitura nga rusët, u reklamua më shumë me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.640 date 21.05.2008 ku ky vargmal u shpall Park Kombëtar me emrin “Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë” . Këtu përsëri gabimi trashet duke i shtuar një toponim tjetër të huaj. Mali i Jabllanicës është në Lindje të fshatit Stëblevë. Një pjesë prej 100 hektarësh shtrihet brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, ndërsa pjesa më e madhe shtrihet brenda kufinjve të Republikës së Maqedonisë së Verit.

Nga informacionet që kemi marrë ky emërtim është vendosur me qëllim që ky park të shpallej në të dyja anët e kufirit si një park ndërkufitar, por që për fat të keq shteti maqedonas akoma nuk e ka shpallur atë sipërfaqe Park Kombëtar. Gjithsesi, si do që të jetë emri, sot ky park është një nga zonat e mbrojtura më të bukura të Shqipërisë me resurse natyrore të pafundme, si nga flora,fauna ashtu edhe nga hidrografia.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Share
Translate »
error: KUJDES! Kopjimi eshte i ndaluar!