Në zbatimin e vendimit të Bordit Mbikëqyrës të PONT për të shtrirë programin e tij të ruajtjes në zonën më të gjerë të Ohrit, dhe duke plotësuar mbështetjen e ofruar për autoritetet e zonës së mbrojtur, PONT së fundi ka dhënë grante për pesë organizata joqeveritare, në bashkëpunim me Fondin e Partneritetit të Ekosistemit Kritik (CEPF).
Granti për Shoqatën AlbNatyra fokusohet në reduktimin e kërcënimeve ndaj vlerave natyrore të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në Shqipëri duke krijuar një Rrjet Monitorimi dhe Raportimi të vullnetarëve nga radhët e anëtarëve të komunitetit lokal.
AlbNatyra do të asistojë rrjetin në krijimin e një bashkëpunimi efektiv me autoritetet e parkut dhe departamentet e policisë dhe zjarrfikësve të qeverisjes vendore të Librazhdit dhe Prrenjasit. Granti synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin e anëtarëve të komunitetit lokal dhe aktorëve të tjerë për vlerat e parkut dhe nevojën për mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të tyre.
Sot AlbNatyra nënshkroi një marrëveshje me PONT përfaqësuar nga Znj. Mirjam de Koning, drejtuese ekzekutive në PONT dhe Z.Oliver Avramoski, oficer për grantet në PONT, për zbatimin e një mini-projekti me temë “Fuqizimi i rolit të komunitetit si një partner i rëndësishëm në mbrojtjen e biodiversitetit”. Ky projekt financohet nga CEPF dhe PONT.
► Projekti konsiston në ngritjen dhe trajnimin e grupeve lokale për të monitoruar, raportuar dhe ndërhyrë në rastet e nevojshme për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
► Ky grup do ti vijë në ndihmë administratës së Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë për të kryer më mirë rolin e tyre në terren dhe në bashkëpunim me komunitetin lokal.