Ndryshimet klimatike po shkaktojnë një transformim të thellë në ekosistemet natyrore, duke ndikuar drejtpërdrejt në sjelljen dhe përhapjen e bimësisë. Klimat e ngrohta dhe kushtet e ndryshuara meteorologjike kanë ndryshuar habitatin e shumë bimëve, duke i shtyrë ato të migrojnë në lartësi më të mëdha dhe të vendosen në zona që më parë nuk ishin të përshtatshme për to.
Në rastin e parë, fotografitë ilustrojnë përhapjen e pishës së zezë në një lartësi më të madhe mbi nivelin e detit. Në monitorimet e kryera, kemi vërejtur që pisha është zhvendosur rreth 200 metra më lart, një fenomen i pazakontë për një periudhë të shkurtër kohore, vetëm 5-6 vitet e fundit. Kjo përhapje është një tregues i qartë i ndikimit të ngrohjes globale. Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, është e mundur që pisha të fillojë të pushtojë kullotat alpine deri në lartësinë e 2,000 metrave mbi nivelin e detit, duke ndikuar në ekosistemin e këtyre zonave
Në rastin e dytë, po ashtu, vihet re se për shkak të ngrohjes globale dhe thatësirave të zgjatura, situata është përkeqësuar për drurët e ahut. Monitorimet në Parkun Kombëtar Shebenik tregojnë një shterje të mijëra drurëve dhe shkurreve të ahut, për shkak të mungesës së lagështisë dhe temperaturave të larta. Kjo tharje është një tregues i drejtpërdrejtë i përkeqësimit të kushteve mjedisore dhe ndikon rëndë në ekosistemin natyror.
Pasojat e këtyre ndryshimeve janë të rënda. Tharja e bimëve, shkurreve dhe drurëve krijon një rrezik të shtuar për zjarret dhe destabilizon tokën, duke çuar në erozion dhe humbjen e biodiversitetit. Gjithashtu, burimet ujore po shterojnë, duke sjellë një pasojë tjetër serioze për jetën e gjallesave në këto zona.
Në përgjigje të këtyre sfidave, është jetike të ndërmarrim veprime urgjente për uljen e ndotjes dhe shfrytëzimit të pyjeve. Gjithashtu, duhet të përqendrohemi në rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta për të ndihmuar në rikuperimin e ekosistemit dhe ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.(fotot bashkangjitur).