Archives

now browsing by author

 
Posted by: | Posted on: May 18, 2024

test

test test

Posted by: | Posted on: February 21, 2024

Monitoruesit e rinj

Në zbatim të projektit “Nxitja e lidhjes të komunitetit lokal për mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm” mbështetur nga Programi Prespa Ohrid Nature Trust (PONT) AlbNatyra po organizon disa aktivitete që kanë të bëjnë me rritjen e monitorimit të zonës së mbrojtur “Parku Kombëtar Shebenik”. Grupi monitorimit nga komuniteti lokal u formua dhe u forcua si rezultat projekteve të mëparshme që AlbNatyra kishte me PONT dhe CEPF, por që këto vite ky grup ka dhënë rezultate të qenësishme në menaxhimin e qëndrueshëm të parkut, sidomos në mbrojtjen e ekosistemit pyjor nga zjarret dhe prerjet e paligjdhme. Vitet e fundit zjarret pothuajse nuk patën asnjë rrezik për pyjet parkut, falë vullnetarëve të këtij grupi të cilët bashkëpunuan ngushtësisht me stafin e Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan.

Ndërkohë që AlbNatyra ka filluar të ngrejë edhe grupin “Monitoruesit e rinj” si një grup që do të shërbejë për të ardhmen. Edukimi i të rinjve për natyrën, për konservimin e natyrës, promovimin e mbrojtjes të zonave të mbrojtura, sidomos për speciet e rrezikuara do të na ndihmojë që të kemi një vazhdimësi të traditës që po përcojmë.

Në takime janë përfshirë kryesisht nxënës të shkollave të cilët janë në vitet e fundit të shkollës së mesme si psh në fshatin Zgosht, Dorëz dhe Hotolisht,të cilët janë shkolla që ndodhen brenda ose afër Parkut Kombëtar Shebenik.

Njohja e zonave të mbrojtura natyrore, mbrojtja dhe promovimi janë tema që po trajtohen, por kryesisht të rinjtë i angazhojmë në procesin e monitorimit, një process i cili është mjaft i rëndësishëm për identifikimin e problematikave, rreziqeve dhe kanosjet ndaj natyrës nga aktivitetet e paligjshme.

Monitorimi nëpërmjet kamerave kurth, dylbive, gjurmëve dhe provave të tjera janë aktivitete që po zhvillohen në natyrë. Monitorimi i jetës së egër është një nga tregusit kryesorë mbi cilësinë e ruajtjes të zonës së  mbrojtur. Nga këto aktivitete vërejmë që të rinjtë janë aktivë dhe shprehin interes për pjesëmarrje vullnetare në procesin e monitorimit.

Vendosja e kamerave kurth u realizuan në preznencë dhe me pjesëmarrjen e të rinjve si edhe në bashkëpunim me punonjësit e Parkut Kombëtar Shebenik në disa shtigje ku mendohet se mund të përdoret nga kafshët e egra. Gjithashtu të rinjtë mësuan se si të merren rezultatet e kamerave kurth nëpërmjet kartave të memories.

Një tjetër praktikë e vyer ishte edhe njohja e kafshëve të egrave nëpërmjet gjurmëve,feceve, pendëve dhe zhurmave apo tingujve që ata ushtrojnë.

Stafi AlbNatyra është shumë i hapur dhe i angazhuar për të marrë opinone, propozime dhe komente mbi punën që është duke bërë në drejtim të promovimit të mbrojtjes së natyrës.

Posted by: | Posted on: February 8, 2024

Zambaku Shqiptar / Lilium albanicum

🥀Zambaku shqiptar (Lilium albanicum) është bimë me bulb, me një 30-40 cm. Gjethet janë vizake, majëmprehta, me 7 nervura, gjysmë-pushtuese. Lulet janë të vetmuara, rrallë 2-3 dhe të varura. Tepalet janë ngjyrë të verdhë ari, pa njolla përsipër, të harkuara deri të spërveshura. Thekët janë shumë të dalë dhe të varur. Pjalmoret janë ngjyrë portokalli. Fenologjia perfshin muajt maj-korrik. Kjo bimë është endemike🥀

Përhapja Kjo bimë barishtore gjendet në kullota e livadhe subalpine dhe alpine, kryesisht në Parku Kombëtar Shebenik🏔️

Statusi Zambaku shqiptar është pjesë e Listës së Kuqe të Flores si lloj i rrezikuar (EN).

AlbNatyra në të ardhmen synon që të kryejë një studim dhe një hartëzim të shtrirjes të zambakut në territorin e Parkut Kombëtar Shebenik.

Nga një vëzhgim i rastësishëm është vërejtur që ky habitatet gjendet në vargmalin e Shebenikut dhe Mali i Mirakut në një lartësi mbi 2000 metra mbi nivelin e detit🏔️

Posted by: | Posted on: February 1, 2024

Kujdesi ndaj ekosistemit natyror Shebenik nëpërmjet përdorimit racional dhe tradicional

AlbNatyra ka mbyllur projektin e tretë të mbështetur nga CEPF – Critical Ecosystem Partnership Fund, njëkohësisht dhe projekti i dytë në mbështetjen e biodiversitetit në kullotat alpine të parkut Kombëtar Shebenik.

Projekti ka arritur sukses të dukshëm në  ruajtjen e biodiversitetit, zhvillimit socio-ekonomik, forcimit institucional dhe edukimit të komunitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Në bashkëpunim të ngushtë me AdZM Elbasan, projekti u përqendrua në mënyrë strategjike në përmirësimin e menaxhimit të kullotave alpine, veçanërisht në rajonin e Rrajcës të pa adresuar më parë, që ndodhet në pjesën juglindore të parkut. Këtu, vlen të përmendet prania pylli të vjetër të ahut 300-vjeçar, zonë e mbrojtur nga UNESCO, duke nxjerrë kështu në pah rëndësinë ekologjike të këtij zgjerimi të projektit.

Kjo nismë, duke shërbyer si vazhdimësi e projektit të mëparshëm, ruan një fokus thelbësor në nxitjen e praktikave të qëndrueshme dhe ruajtjen e biodiversitetit. Partneriteti me AdZM ka qenë vendimtar, i dukshëm në një marrëveshje të nënshkruar që përshkruan përgjegjësitë e ndërsjella, mbështetjen logjistike dhe angazhimin për ruajtjen e vlerave të biodiversitetit të parkut. Për sa i përket ndikimit të ruajtjes, projekti ka punuar drejt qëllimit të tij për të zgjeruar zonën nën kullotje të qëndrueshme të bagëtive nga 18% në 50% brenda pesë viteve. Në total parku ka 6760 ha kullota alpine, 610 ha është rreth 9 % që është përmirësuar falë mbështetjes së ofruar për barinjtë vendas. Kjo nismë përputhet me objektivin kryesor të dyfishimit të numrit të bagëtive në tre vitet e para.

Përfitimet socio-ekonomike janë të dukshme nëpërmjet angazhimit dhe mbështetjes së barinjve—Isa Allkja, Agush Hasa dhe Erion Biçaku—në mjetet alternative të jetesës, veçanërisht eko-turizmin. Një sesion trajnimi gjithëpërfshirës i udhëhequr nga eksperti Elton Caushi i pajisi këta barinj me informacionin për të shndërruar stanet tradicionale në bujtina miqësore me mjedisin. Duke parë përpara, projekti ka hedhur bazat për iniciativat e qëndrueshme të eko-turizmit. Trajnimi i barinjve dhe një vizitë e suksesshme në një sipërmarrje të ngjashme në Tragjas kanë dhënë njohuri praktike, duke nxitur entuziazmin për turizmin si një aktivitet ekonomik. Këta barinj fituan edhe kushte më të mira jetese duke i pajisur stanet e tyre me panele fotovoltaike dhe bateri, si dhe pajisje tualeti (wc dhe dushe).

Projekti rriti me sukses ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me ruajtjen e bimëve endemike dhe biodiversitetit. Eksperti i kullotave alpine Hasan Deliu luajti një rol të rëndësishëm në seancat trajnuese, duke theksuar praktikat e përgjegjshme të grumbullimit të bimëve dhe rolin jetik të biodiversitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Si përmbledhje, projekti ka bërë hapa të rëndësishëm në dimensione të ndryshme, duke krijuar një bazë të fortë për qëndrueshmërinë e ardhshme të Parkut Kombëtar të Shebenikut, duke vazhduar në themelet e ndërtuara në projektin e parë. Qasja holistike që ndërthur ruajtjen, angazhimin e komunitetit dhe rritjen organizative e pozicionon projektin si një katalizator për ndryshime pozitive. Projektu u shtri edhe në arsimimin e brezit të ri me prezantime shkollore lidhur për rëndësinë e mbarështimin të bagëtive të imta si dhe vizita në terren. Në këto veprimtari morën pjesë  18 nxënës nga dy shkolla të qytetit të Librazhdit. Nisma synon të krijojë një kuptim të marrëdhënies simbiotike midis mbarështimit të blegtorisë, mbrojtjes së biodiversitetit dhe jetesës së qëndrueshme.

Gjithashtu, zbatimi i këtyre projekteve ka sjellë tek AlbNatyra një rritje të ndjeshme të kapaciteteve të saj. U zhvillua një plan strategjik 5-vjeçar dhe u miratuan vendimet kryesore, duke përfshirë ristrukturimin e bordit dhe tranzicionin e drejtimit të shoqatës. Përpjekjet në financat dhe burimet njerëzore janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive, duke përmirësuar kuadrin e brendshëm të shoqatës.

Critical Ecosystem Partnership Fund – CEPF mbetet partneri ynë i mirë në mbrojtjen e biodiversitetit duke sjellë kështu projekte konkretë dhe gjithëpërfshirës në gamën e veprimtarisë për të arritut këtë objektiv dhe AlbNatyra shpreh mirënjohjen e saj për këtë mbështetje domethënëse.

Posted by: | Posted on: September 4, 2023

Miqtë e jetës së egër të Shebenikut

Në datat 28-30 gusht, grupi ynë i apasionuar “Miqtë e jetës së egër të Shebenikut” organizoi një shkollë verore të veçantë, ku eksploruam, mësuam dhe u frymëzuam për të mbrojtur mjedisin dhe biodiversitetin e këtij thesari natyror.U njohëm me habitatet, monitoruam florën dhe faunën e parkut, dhe krijuam herbariume që do të ndihmojnë në studimet mjedisore të ardhshme.

Dita e parë na solli një prezantim tërheqës nga specialistët e AdZM Elbasan, duke na treguar gjithçka mbi Parkun Kombëtar të Shebenikut si dhe sfidat që e kërcënojnë atë.

Udhëtuam me biçikleta në brendësi të parkut dhe forcuam shpirtin e skuadrës nëpërmjet lojërave dhe eksplorimeve të natyrës.

Të udhëhequr nga ekspertja Ermelinda Gjeta u zhytëm në një aventurë e veçantë në botën e bimëve duke identifikuar bimët e ndryshme të parkut zbuluam edhe vetitë e tyre specifike të cilat i shënuam në herbariumin e krijuar nga vetë të rinjtë.U përqëndruam në mënyrat se si komuniteti lokal mund të përfshihet në mbrojtjen e Parkut të Shebenikut. Diskutuam dhe ndamë ide për të përmirësuar ruajtjen e kësaj pasurie natyrore të çmuar.

Ky aktivitet realizohet në zbatim të projektit titull “Nxitja e banorëve për mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm’’ (Foster Connection ëith the local community to support the sustainable management). Projekt i cili financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust (PONT),

Aktivitete të tilla ne si organizate mjedisore do ti kemi në vëmendje për ti realizuar ne cdo kohë pasi ndikojnë drejtpërsëdrejti në emancipimin e brezit të ri.

Më poshtë po ndajmë me ju këtu disa nga çastet e kapura me foto të këtyre ditëve.

Posted by: | Posted on: June 1, 2023

Të rinjtë për natyrën e Parkut Kombëtar Shebenik

Gjatë fundjavës kishim kënaqësinë të zhvillonim ekspeditën e radhës me nxënësit shkollës “Vilson Blloshmi”, dhe këtë herë shprehën dëshirën e na u bashkuan edhe nxënës pak më të vegjël por të appasionuar pas natyrës, nxënësit e shkollës “Genc Leka”.

Së bashku, eksploruam natyrën, mësuam për mjedisin dhe diskutuam mbi rëndësinë që ka përkujdesja për të.

Ndalesa e parë ishte “Qendra e Vizitorëve”, ku fëmijët mësuan për llojet e ndryshme të bimëve dhe kafshëve që e quajnë parkun e Shebenikut shtëpinë e tyre. Nga zogjtë mahnitës deri te kafshët e fshehura, kishte shumë për të zbuluar dhe kuptuar mbi biodiversitetin e parkut dhe rëndësinë që ai ka.

Vazhduam ecjen më tej në park, ku u përshëndetëm nga pamja e mrekullueshme e Liqenit të Fushës së Studnës i cili shtrihet mbi fushen e stergjatur perbri pyjeve te larta te ahut.

Gjatë ecjes tonë mësuam mbi praktikat e monitorimit të zonave të mbrojtura dhe gjithashtu zhvilluam një monitorim të dendësisë të bimës së Salepit (Orchis mascula), ku shënuam më shumë se 200 specie të kësaj bime në zonën përreth Liqenit! Me këtë ekspeditë, synuam jo vetëm të edukojmë dhe frymëzojmë këto mendje të reja dhe rritjen e kapaciteteve monitoruese por edhe të kultivojmë një ndjenjë përgjegjësie ndaj mjedisit tonë. Duke dëshmuar bukurinë e Parkut Shebenik, shpresojmë të rrisim te këta nxënës një pasion për ruajtjen e mjedisit që do të
zgjasë gjithë jetën.

Ky aktivitet mbeshtetet Prespa Ohrid Nature Trust (PONT ) nnepermjet projektit “Strengthening the role of local community as an important stakeholder for biodiversity protection”.


Prespa Ohrid Nature Trust – PONT

Posted by: | Posted on: May 6, 2023

Ne mbeshtetje te fermereve te rinj te Shebenikut

Kishim kënaqësinë të mirëpritnim në një vizitë në zonën tone të projektit, përfaqësuesit e PONT dhe CEPF, të cilët janë mbështetësit e dy projekte aktuale që po zbatojmë. Gjatë kësaj vizite, u takuam dhe na priti në stanin e tij, Tafil Allkja së bashku me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Isain.

Është frymëzuese të shohim punën e palodhur të banorëve vendas dhe vlerësojmë gjithmonë rolin dhe ndihmën që mbarështrimi i bagëtive të imta.

Dy vellezerit kane vendosur te mbarshtojne bagetite e imta (dhi) te cilat gjate sezonit te veres por edhe pjeserisht ne dimer i kullosin ne pyjet dhe kullotat e Parkut Kombetar Shebenik.

Shoqata AlbNatyra po punon për mbeshtetjen e barinjve te rinj si nje brez i cili duhet te mesoje me shume per mbrotjen e mjedisit, bimeve te rrezikuara por edhe rritjen e ekonomise lokale.

Nepermjet mbeshtetjes te siguruar nga CEPF, ne jemi duke vazhduar me procesin e ndergjegjesimit, komunikimit dhe nxitjes te komunitetit dhe te barinjve per mbrojtjen e specieve te rrezikuara ne park.

Ne zbatim te aktiviteteve te projektit do te mbeshtesim keto barinj me disa aksesore te nevojshem dhe jetesore per ta, si; panele diellore, permiresimin e kushteve higjenes dhe mjete te tjera te domosdoshme.

Posted by: | Posted on: July 2, 2022

Ariu i murrmë / ursus arctos në Shebenik

Ariu i murrmë / ursus arctos

Ariu murrmë (foto AdZM Elbasan)

Është një nga gjitarët e mëdhenj të egër që gjendet në Shqipëri, një kafshë mishëngrënëse e familjes Ursidae me një trup të lartë deri në 1 m dhe me gajtësi 1,7-2.0 m, i mbuluat me qime të ashpëra me ngjyrë të kaftë në të errët dhe me peshë 180-200 kg. Femrën në Shqipëri e quajmë arushë. Habitati i tij është në pyje të përziera por gjendet edhe rreth fshatrave në shkurret mesdhetare, por edhe në zonat malore.Gjendet në Europë, në Azi dhe një pjesë të Afrikës  por më shumë në gjendet në zonën e Europës Qendrore ndërsa në Evropën perendimore thuasje janë zhdukur. Në Shqipëri gjendet më së shumti veri lindje dhe jug-lindje si dhe në pjesën qëndrore të saj. Në parkun kombëtar Shebenik gjendet pothuasje kudo, e vertetuar nëpërmjet kamerave kurth të vendosura nga stafi i parkut, por edhe nga gjurmët, fecet dhe gërvishjet e drunjve apo gurëve. Nuk ka një numër të saktë se sa është numri i tyre në hapsirën e parkut. Mosha mesatare e jetës të nëj ariu të murrmë shkon në 35-50 vjet, kur është i ri ushqehet e rrënjë,fara,fruta si psh lende, gorrica,mana ferre, boronicë, lule shtrydhe, qershi etj. Ariu pëlqen mizat e dheut po ashtu edhe mjaltin. Kur shkonë moshë të rritur bëhet dhe mishngrënës, ka patur raste kur soulmon edhe bagëtitë.Dëgjimin dhe nuhatjen e ka shumë të zhvilluar si instikte por të shikuarit e ka shumë të dobët. Zakonisht për tu ushqyer del gjatë natës dhe gjatë dimrit bie në gjumë të përkohshëm. Ciftëzimi kryehet në periudhën qershor-korrik dhe arusha lind 1 -3 këlyshë të cilët i mban për rreth dy vjet. Airu i Murrëm konsiderohet si specie e kërcënuar dhe mbrohet me ligj. Për parkun kombëtar por edhe rreth tij nevojitet një studim i mirëfilltë i popullatës të ariut të murrëm, për të parë gjendjen e tij, numrin dhe sipërfaqen e arealit të tyre.


Ariu murrmë (foto AdZM Elbasan)
Posted by: | Posted on: June 17, 2022

Parku Kombëtar “Shebenik”

PARKU KOMBËTAR “SHEBENIK”  (i ndryshuar)

Me VKM nr. 59 datë 26.01.2022 botuar në fletoren zyrtare (nr.16) Parku Kombëtare Shebenik-Jabllanice ka pësuar ndryshime në emrin e tij, sipërfaqen dhe zonimin e tij. Sipas këtij vendimi parku do të quhet: Parku Kombëtar “Shebenik” ndërsa sipërfaqa e tij nga 33 927.66 hektarë bëhet 34 507.9 hektar, gjithashtu ka ndryshime të tehksuara në korigjimet që janë bërë hartës dhe kufirit të parkut si dhe zonimit të këtij parku. Bie në sy heqja që është bërë sipërfaqes në pellgun ujëmbledhës të lumit Bushtrica, si dhe nuk eshte marre parasysh kërkësa e herë pas hershme të disa banorëve të disa fshatrave për tu hequr nga harta e parkut, pra nuk është reflektuar. Ndërkohë ka një shetsë mbi 1000 hektarë në bashkinë Bulqizë e cila bën pjesë në qarkun Dibër. Sipas mendimit tonë ky ndryshim nuk reflekton atë që është kërkuar, madje ka ndryshime të pakuptimta të sipërfaqes por edhe të zonimit.

Me poshtë po pasqyrojmë VKM nr 59 datë 26.01.2022

Zona brenda këtij ekosistemit natyror përfshin pyje, bujqësore, shkurre, kullota, sipëraqe heterogjene bujqësore, sipërfaqe me vegjetacion të pakët dhe bimësi barishtore. Mbulesa e tokës brenda siperfaqes së Parkut Kombëtar, jepet në Tabelën 1. më poshtë

Tabela 1. Sipërfaqja e PK-së, e përshkruar sipas mbulesës.

Mbulesa Sip. në ha Përqindja
Pyje 16359 47.41
Sipërfaqe heterogjene bujqësore 1930.1 5.59
Sipërfaqe me vegjetacion të pakët 1972.8 5.72
Kullota 93.9 0.27
Urbane 49.1 0.14
Shkurre & Bimësi barishtore 14103 40.87
Total 34,507.9 100.00

 Ekosistemi natyror “Shebenik”, shpallur me status “Park Kombëtar” ndahet në katër nënzona ruajtjeje e administrimi, si më poshtë vijon:

a) Nënzona Qëndrore A, me sipërfaqe 2129.62 (dy mijë e njëqind e njëzet e nëntë presje gjashtëdhjetë e dy) ha, e shënuar në hartë me ZQ A.

Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore, shkurresh dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla e më lartë e mbrojtjes,  që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike te kontrolluara në natyrë. Në ZQ A janë të ndaluara: prerja e drurëve dhe e shkurreve; përdorimi i kimikateve dhe i plehrave kimike; ndërtime të çdo lloji; nxjerrja e mineraleve dhe e torfave; ndezja e zjarreve; kullotja, kalimi i kafshëve shtëpiake dhe ndërtimi i objekteve për mbajtejn e tyre; etj.

b) Nënzona Qëndrore B, me sipërfaqe 14562.37 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy presje tridhjetë e shtatë) ha, e shënuar në hartë me ZQ B.

Kjo nënzonë përfshin habitatet kryesore pyjore, shkurresh dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta e të rralla për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin dhe në të zbatohet shkalla e më lartë e mbrojtjes,  që siguron një territor të pashqetësuar. Në këtë nënzonë lejohen kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë. Në ZQ B janë të ndaluara: shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhë mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme në sipërfaqen e tokës; neutralizimi i mbetjeve me origjinë jashtë territorit të “Parkut Kombëtar”; shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase, kur ato sjellin ndryshime në biodiversitetin e sonës; riprodhimi intensiv, me përjashtim të riprodhimeve shpëtuese; ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë; larja dhe spërkatja e rrugëve me kimikate; mbjellja e pyjeve monokulturë; etj.

c) Nënzona e Përdorimit Tradicional dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, me sipërfaqe 17673.82 (shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre presje tetëdhjetë e dy) ha, e shënuar në hartë me ZPTQ.

Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore, bujqësore e kullotat, ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale si punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike, me përdorim të balancuar të tyre dhe nuk lejohen ndërtimet e veprimtaritë që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit natyror. Në nënzonën e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm, zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive ekonomike, sociale, agrobiznesit, argëtuese, sportive e ekoturistike, ndërtimi i infrastrukturës sipas planeve të zhvillimit urban e turistik të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), të cilat nuk cenojnë integritetin ekologjik të ekosistemit natyror dhe respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor.

d) Nënzona e Rekreacionit me sipërfaqe 142.09 (njëqind e dyzet e dy presje zero nëntë) ha, e shënuar në hartë me ZR.

Në këtë zonë përfshihen pjesë të habitateve pyjore, kullotave dhe bimësi pyjore. Në këtë zonë zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, që siguron një territor me ndikim të ulët dhe kontroll të veprimtarive turistik, si mundësi shetitje në natyrë, shërbime turistike në mënyrë të tillë që respektojnë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat e tij ekologjike dhe ato të peizazhit natyror, në mbështetje të studimeve urbanistike të miratuar nga KKT-ja.

Zonimi dhe sipërfaqet në Parkun Kombëtar “Shebenik” jepen në Tabelën 2.

Tabela 2. Zonimi i brendshëm i PK-së.

Zonimi Sipërfaqe ha Perqindja
Zona qëndrore A 2129.62 6.17
Zona qëndrore B 14562.37 42.20
Zona e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm 17673.82 51.22
Zona e rekreacionit 142.09 0.41
Totali 34507.9 100.00

Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Qarku Elbasan dhe Dibër, kryejnë funksionet menaxhuese të Parkut Kombëtar “Shebenik”.

Posted by: | Posted on: May 16, 2022

Të rinjtë kontriboujnë për mjedisin e parkut kombëtar Shebenik

Klubi i Mjedisit të shkollës ‘Shefqet Dosku’’ në Dorëz, së bashku me stafin e AdZM Elbasan krahas viztës të realizuar në Shpellën e Akullit pikturuan koritën e ujit të bagëtive, e cila është ndërtuar vitin e shkuar nga projekti i mbështetjes së blegtorëve zbatuar nga AlbNatyra dhe finacuar nga CEPF.

Kjo veprimtari u zhvillua si pjesë e programit mjedisor financuar nga PONT dhe CEPF.

Fotot flasin vetë andaj ju ftojmë të shikoni se çfarë pune e bukur është bërë sot, ky është një nga postimet e shoqatës AlbNatyra në fanpage të facebook-ut.

Shoqata AlbNatyra gjatë kësaj periudhe po zhvillon një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe mbrojtjen e parkut, sidomos në aktivimin e komunitetit dhe shoqërisë civile për të reaguar në situata emergjente që mund të shfaqen në mjedisin e parkut kombëtar Shebenik.



Prespa Ohrid Nature Trust (PONT)

Critical Ecosystem Partnership Found
Share
Translate »
error: KUJDES! Kopjimi eshte i ndaluar!